Nga një sondazh eksplorues me 70 milionë euro dhe një ose dy lojtarë në shkëmbim, në një ofertë serioze që e bën Milanin të mendohet. Bajerni i Mynihut është gati të ofrojë 100 milionë euro për Rafa Leaon, yllin portugez që prej vitesh është një nga simbolet e skuadrës kuqezi.
Nuk është ende shifra që Milani konsideron të pranueshme, por është një propozim që nuk mund të injorohet. Gjermanët synojnë të përfshijnë në negociata edhe emra të rëndësishëm që janë të gatshëm për t’u larguar nga “Allianz Arena”, si Kim Min-jae, një profil që mund të përshtatet me filozofinë e Masimiliano Alegrit. Shitja e Leaos nuk do të ishte një lëvizje e izoluar, por pjesë e një revolucioni të thellë që po ndodh në heshtje në shtëpinë kuqezi.
Tani po ndërrohet edhe “zemra” e skuadrës që fitoi titullin kampion në vitin 2022. Menja është shumë pranë kalimit te Çelsi me një diferencë ende të vogël mes kërkesës së Milanit (30 milionë euro) dhe ofertës së londinezëve (20 milionë me bonuse). Teo Hernandez pret një ofertë të madhe nga një klub europian dhe Atletiko Madrid është një pistë reale, ndonëse ende pa hapa konkretë.
Në këtë kontekst të trazuar, pritet që Masimiliano Alegri të sjellë stilin e tij të njohur të lojës, organizim, përvojë dhe efikasitet, larg bukurisë spontane, por shpesh të paqëndrueshme të Milanit të viteve të fundit. Prandaj, klubi po synon përforcime me peshë, ndonëse jo domosdoshmërisht të rinj, që të sjellin udhëheqje dhe stabilitet.