Brenda pak ditësh ose javësh dalin çmimet e reja të referencës. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Rama, duke veçuar si risi që taksa për shtëpinë e dytë do të jetë më e madhe se e para.
Punë ditësh ose javësh do të dalin çmimet e reja të referencës. Do të kenë edhe një element tjetër të ri, që taksa për shtëpinë e dytë do jetë më e madhe se për shtëpinë e parë. Kështu që bashkitë, sidomos ato të bregdetit do të kenë një të ardhur të shtuar nga ky proces pasi shumë njerëz në bregdet kanë shtëpitë e dyta.
Por, nga ana tjetër, duke marrë parasysh që çmimet e referencës rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe e bëjnë jo të vogël taksën e pasurisë. Do të thotë se kush do ta menaxhojë taksën e pasurisë mirë do të ketë të ardhura shumë më tepër, sepse ajo është baza kryesore në të gjitha bashkitë e botës.
Një gjë duhet patur parasysh, se në disa bashki kemi taksa lokale eksesive, gjë që nuk na bën sens. Ne e kemi bërë zero taksën e biznesit të vogël, por në disa bashki taksa e tavolinës psh, apo të tjera. Ka edhe raste ekstravagante fare të këtyre që merren me miniera apo investime në energji iu vënë taksa lokale të çuditshme. Edhe këtu duhet patur parasysh që të ketë një lloj sensi e kuptimi dhe për këtë, besoj se Ministria e Financave do të na japë një udhërrëfyes, u shpreh shefi i qeverisë Rama.
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se paralelisht me taksën do të prezantohet edhe rivlerësimi i pronave.
Ne jemi drejt finalizimit të çmimeve të reja të referencës. Paralelisht, vlera e pronave është rritur rreth 26%. Pra është një rritje që do të shtojë edhe vlerën sa i përkthehet të ardhurave në bashkitë. Taksa e pronës është një nga taksat më të rëndësishme në bashkitë e Europës, duhet të zërë të njëjtën peshë edhe në vendin tonë.
Paralelisht me taksën, ne do të bëjmë prezantimin e rivlerësimit të pronave, që do të bëhet me një normë tatimore të reduktuar. Kështu që do t’iu japim mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë, që krahas vlerës së re të pronave të tyre, të bëjnë dhe rivlerësimin e pronave që kanë aktualisht.