Aktualitet

Konkursi për Pallatin e Kongreseve, Rama: Koha për transformim, ruajmë identitetin e godinës!

Në kuadër të Konkursit Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, pesë skuadrat finaliste prezantuan para jurisë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore për transformimin e një prej godinave më ikonike të kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë të studiove arkitekturore dhe punën e bërë për përzgjedhjen e finalistëve.

Besoj se më bukur dhe në mënyrë më shteruese se sa e përshkruajnë të gjithë protagonistët e thirrur për të ndërtuar dokumentarin e shkurtër, nuk mund të them dot asgjë. Dua të falënderoj të gjitha studiot pjesëmarrëse. Ka qenë një pjesëmarrje e konsiderueshme dhe një vendim jo i lehtë për të përzgjedhur pesë finalistët.

Kryeministri deklaroi se procesi i vënies në dispozicion të pronave shtetërore të degraduara ka sjellë përfitime të konsiderueshme financiare, si dhe rikthim të tyre në funksion të publikut dhe institucioneve shtetërore.

Rama theksoi se nëpërmjet kontratave të lidhura, përfitimi nga faza e parë e punës së Korporatës së Investimeve është e llogaritur në rreth 523 milion euro, ndërsa ai i drejtpërdrejtë për shtetin dhe ekonominë e kontraktuar kalon shifrën e 1 miliard eurove.

Sipas kryeministrit, në këtë proces janë vënë në dispozicion 46 mijë e 700 metra katrorë tokë shtetërore, ndërsa 267 mijë metra katrorë janë përfituar për nevojat e shtetit. Ndërkohë, sipërfaqja e përfituar nga sipërmarrja arrin në 355 mijë metra katrorë.

Duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara, të merret mbrapsht përfitueshmëri e lartë financiare dhe nga pikëpamja e hapësirës, në funksion të publikut e nevojave të institucioneve publike.

Rama nënvizoi se qëllimi është që Pallati i Kongreseve dhe zona përreth të transformohen në një hapësirë moderne, të përshtatur me teknologjinë dhe cilësinë bashkëkohore të hapësirave publike.

Ky pallat duhet të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, cilësisë së hapësirave dhe strukturës së riorganizuar. Por gjithashtu kjo zonë duhet të bëhet një tjetër destinacion i Tiranës, duke mos mbetur një ishull i heshtur pa aktivitet.