Sali Berisha u paraqit në SPAK, në zbatim të vendimit të Apelit të Posaçëm, që i caktoi “Detyrim për paraqitje”, dy herë në muaj lidhur me çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Duke folur për gazetarët, ish-kryeministri vazhdoi me akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme.
Siç e dini, organizata kriminale Skap-i i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë fakte, por sepse ka sulmuar gjykatësit dhe prokurorët. Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me krimin, vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë.
Sali Berisha i ka sulmuar e do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm, njerëz që bëjnë ligjin. Sali Berisha ka sulmuar dhe do të faktojë që sot para jush se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi.
Altin Dumanin, kryetari demokrat e quajti “kryekriminel elektoral” se sipas tij, “ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral”.
Tani, në datën 10.02.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do të votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg?
Pra, do të na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju?
Përgjigje: Po, ne e garantojmë këtë.
Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit.
Tani, komenti tjetër.
Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel.
Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar.
Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan.
Çfarë del nga kjo? Që Tao përcakton tendera, që Tao përcakton vendimet e gjykatave, që Tao merr përsipër me listë arrestimet dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është vetëm një aspekt i dokumenteve të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që unë e quaj Skrapi i partisë.
Më pas, Berisha iu drejtua me një fjalë mbështetësve të mbledhur për të protestuar para SPAK-ut.