Harry Styles ka ndarë hapur emocionet e tij për humbjen e ish-shokut të grupit Liam Payne, duke treguar pse ndarja e tij nga jeta ishte veçanërisht e dhimbshme.
Në episodin e 4 marsit të emisionit The Zane Lowe Show, këngëtari foli për mënyrën se si po përballet me këtë humbje, pasi Payne ndërroi jetë në tetor të vitit 2024 në moshën 31-vjeçare.
Dua të jem plotësisht i sinqertë… edhe vetë ideja për të folur për këtë më duket e vështirë
-u shpreh Styles, duke treguar se ende e ka të vështirë ta përpunojë emocionalisht humbjen e mikut të tij.
Ai theksoi se kishte ndjenja shumë të forta për këtë ndarje, por në të njëjtën kohë ndjente edhe një lloj presioni nga të tjerët për ta shprehur dhimbjen në një mënyrë të caktuar.
Është shumë e vështirë të humbasësh një mik. Është e dhimbshme të humbasësh këdo, por bëhet edhe më e rëndë kur ai person është në shumë mënyra i ngjashëm me ty
-tha Styles, duke e përshkruar Payne si një njeri me zemër të madhe që gjithmonë përpiqej të sillte gëzim tek të tjerët.
Humbja e tij, sipas Styles, e bëri të reflektonte më thellë për jetën dhe zgjedhjet e tij.
Ishte një moment që më bëri të ndalem dhe të pyes veten: ‘Çfarë dua të bëj me jetën time? Si dua ta jetoj atë?’
-tregoi ai.
Këngëtari shtoi se mënyra më e mirë për të nderuar njerëzit që largohen nga kjo botë është të jetosh jetën sa më plotësisht.
Një ditë pas vdekjes së Payne, më 16 tetor 2024, Styles reagoi publikisht duke shkruar se ishte “thellësisht i shkatërruar” nga humbja.
Ai theksoi se gëzimi më i madh i Liamit ishte të bënte të lumtur të tjerët dhe se për të kishte qenë një nder ta kishte pranë gjatë gjithë atyre viteve.