Rajoni

Exit poll-et e para në Kosovë: LVV fiton zgjedhjet parlamentare, por nuk e formon dot qeverinë!

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, tri televizione në Kosovë kanë publikuar rezultatet e exit poll-eve, duke e nxjerrë të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Shifrat e para të tre exit poll-eve flasin për një rezultat të përafërt për të gjitha partitë, me atë të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kryeson, por ende pa e siguruar numrin 61 për të formuar Qeverinë.

Sipas sondazhit të televizionit Dukagjini, LVV-ja pritet të fitojë 45.7 për qind, PDK-ja 22, LDK-ja 15.6 për qind dhe AAK-ja 5.3.

Sondazhi i Klan Kosovës parashikon që LVV-ja të fitojë 44.1 për qind, PDK-ja 23.9, LDK-ja 16.1 për qind dhe AAK-ja 5.8 për qind.

Ndërkaq, exit poll-i i T7-shit nxjerr LVV-në me 43.5 për qind, PDK-në me 23.6 për qind, LDK-në me 15.9 për qind dhe AAK-në me 7.2 për qind.

Asnjëri nga këto sondazhe nuk ka parashikuar që Nisma Socialdemokrate të kalojë pragun zgjedhor.

LEXO EDHE: Presion ndaj serbëve në Kosovë, policia merr në pyetje kryetaren e komunës në Gjilan!

Për të dytën herë brenda një viti, Kosova zhvilloi sot zgjedhjet parlamentare. Pas dështimit të formimit të qeverisë nga Partia Vetëvendosje me në krye kryeministrin në detyrë Albin Kurti, dhe të tjera partive, Kosova mbajti sot zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Pasi votoi në Prishtinë, Kurti tha për gazetarët se ka ofruar koalicion në prill dhe maj, por oferta e tij është refuzuar.

“Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj, prandaj jemi sot në zgjedhje të parakohshme sepse u refuzua koalicioni. Prandaj duhet të kemi rezultat të qartë, meqë shansi për koalicion iku pa fajin tonë”, tha ai.

Pjesëmarrja sipas shifrave të KQZ, ka qenë 44.56% deri në përditësimin e orës 19:00, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti ka qenë 46.54%. Sipas të dhënave të përditësuara në faqen zyrtare të KQZ-së, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.