Aktualitet Bota

Gati për pandemitë, OBSH kërkon firmosjen e marrëveshjes globale për përballimin e pandemive

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi në samitin e G7 nga vendet anëtare firmosjen e dokumentit për përballimin e pandemive, dokument i cili qe firmosur më herët nga Shqipëria, ndërkohë që vende të tjera nuk e kishin firmosur. Por a po bëhemi gati për një pandemi të mundshme?

Ilir Alimehmeti: “Pika të rëndësishme janë ngritja e laboratorëve të fuqishëm për identifikimin sa më parë. Nuk dihet që po vjen një pandemi, por gjithmonë duhet të jemi gati. Është si puna e luftës, nuk jemi në luftë, por ushtrinë e mbajmë të mobilizuar”.

Një element i rëndësishëm ishte urgjenca me të cilën OBSH kërkon firmosjen e këtij dokumenti.

Ilir Alimehmeti: “Ka një ndjesi urgjence për vetë faktin sepse bota sot është globale, ka ndryshuar përdorimi i tokës. Çdo ditë shumë avionë lëvizin miliona njerëz, ndryshimet klimatike”.

Ky dokument i OBSH garanton barazi në aksesin në medikamente, informacion, teste apo laboratorë edhe për vendet e varfra, ndërkohë që thekson përgjegjësinë dhe sigurinë bioteknike të tyre.

17 korriku është afati për mbylljen e negociatave dhe në Gjenevë do të zhvillohet një mbledhje e grupit negociator të shteteve anëtare të OBSH. OBSH sqaron se nuk merr vendime, por rekomandon qeveritë e shteteve anëtare se si të menaxhojnë situata të ndryshme që lidhen me shëndetin e popullatës.