Gjykata Evropiane e Drejtësisë sot vendosi që në Bashkimin Evropian t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat që janë nga vendet që konsiderohen të “sigurta”, por vetëm nëse ky përcaktim përmbush standardet strikte ligjore dhe u mundëson aplikantëve e gjykatave të kenë qasje dhe t’i kundërshtojnë provat mbështetëse.
Para gjykatës së BE-së u përfshinë rastet e dy shtetasve të Bangladeshit të shpëtuar në det nga autoritetet italiane e që janë transferuar në një qendër ndalimi në vendin tonë, nën protokollin e dakorduar mes Italisë dhe Shqipërisë. Rasti përfundoi në gjykatë pasi kërkesat e dy azilkërkuesve u refuzuan, bazuar në përcaktimin e Italisë se Bangladeshi është shtet i “sigurt”.
Kushti i dytë i gjykatës përcakton se një shtet i origjinës mund të cilësohet i “sigurt” nëse ofron mbrojtjen e duhur për gjithë popullsinë, përfshirë pakicat. Në kuadër të përpjekjeve të qeverisë së krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar procesimin e kërkesave të azilkërkuesve, si dhe për të zvogëluar numrin e atyre që mund të hyjnë në shtet, Italia ka përpiluar një listë të vendeve që i konsideron të sigurta për emigrantët e që sipas saj, nuk kanë të drejtë ligjore për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
Emigrantët nga shtetet e përcaktuara si të “sigurta”, qeveria italiane synon t’i dërgojë në një qendër ndalimi në Shqipëri, ku do të analizohen kërkesat për azil, përmes një procedure të përshpejtuar.
Një gjykatë italiane që është marrë me çështjen e dy shtetasve të Bangladeshit kërkoi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë të sqarojë nëse qeveria italiane mund të përpilojë një listë të shteteve të “sigurta” dhe nëse Roma duhet t’i deklarojë burimet e veta mbi të cilat ka shpallur një vend të “sigurt” e se çfarë kriteresh janë respektuar.
Teksa qëndrimi i të djathtës ekstreme sa vjen e pëlqehet më shumë në bllokun evropian me 27 vende anëtare, shumë shtete të BE-së janë duke miratuar qasje më të ashpër ndaj emigracionit. Shumë kryeqytete evropiane po shqyrtojnë idenë që të krijohen qendra jashtë bllokut për azilkërkuesit, të cilëve iu është refuzuar azili ose janë në proces.
Por, përpjekja e Italisë për t’i procesuar kërkesat dhe për t’i transportuar emigrantët në Shqipëri është duke u përballur me një mori pengesash ligjore. Zyra e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, deklaroi sot se vendimi i gjykatës së BE-së është “befasues” e “dobëson politikat për të luftuar emigracionin ilegal masiv dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë”.