Aktualitet

Marrëveshja me Italinë/ 15 emigrantë mbërrijnë në Shëngjin, 43 kthehen në Itali!

Një tjetër anije me 15 emigrantë të cilëve ju është refuzuar azili në Itali, ka mbërritur pasditen e kësaj të enjte në portin e Shëngjinit.

Mjeti lundrues i rojes bregdetare italiane është ankoruar në port rreth orës 18:00 dhe pas procedurave në qendrën pritëse emigrantët do të transferohen në kampin e Gjadrit.

Ky është kontigjenti i katërt i emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri, në bazë të dekretit të ri të qeverisë Meloni për sjelljen në Gjadër të emigrantëve të cilëve ju është refuzuar azili në shtetin fqinj.

LEXO EDHE: Gjykata e Kasacionit në Itali bën një hap pas për transferimin e emigrantëve në kampin e Gjadrit! Çështja i kalon Gjykatës Evropiane!

Për 43 emigrantët e sjellë në Shqipëri të martën e kaluar, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Romës pezulluan vendimin për vlefshmërinë e ndalimeve, duke ia referuar çështjen Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian.

Me pezullimin e vendimit të gjyqtarëve, pas skadimit të afateve për vlefshmërinë e ndalimeve, emigrantët, që vijnë nga Bangladeshi dhe Egjipti, do të jenë në gjendje të kthehen në Itali.

Vendimi, sipas gjykatës, është në përputhje me ato të miratuara që nga 18 tetori e tutje, kur gjyqtarët e seksionit të specializuar për çështjet e emigracionit të gjykatës së Romës nuk kishin vleftësuar ndalimet, të lëshuara nga selia e policisë së Romës, për emigrantët e parë që ishin transferuar në qendrën e paraburgimit të riatdhesimit në Gjadër të Lezhës.