Në një ceremoni solemne ku morën pjesë prindërit dhe vëllai i Ilarias, Universiteti i La Sapienza në Romë ka zgjedhur të nderojë studenën shqiptare, e cila humbi jetën tragjikisht pasi u vra nga ish-i dashuri saj, me origjinë filipinase.
Në nder të ish-studentes së Shkencave të Statistikës, Ilaria Sula, universiteti ka vendosur që një prej sallave të tij të mbaj emrin e saj.
“Hapësirat e reja të studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar i janë kushtuar Ilaria Sulës. Me rastin e 722-vjetorit të themelimit të Studium Urbis, sot janë inauguruar tre hapësira të reja studimi, duke përfshirë Bibliotekën e re të Jurisprudencës, Sallën Montessori në Godinën e Mineralogjisë dhe Hapësirat e Studimit Ilaria Sula,” thuhet në njoftimin e universitetit.
Një pllakë përkujtimore është vendosur në hapësirën e studimit të dedikuar, ku shkruhet:
Për Ilaria Sula, studente e Sapienza. Që të mos harrojmë të gjitha gratë viktima të femicideve, e ardhmja e të cilave nuk mund të shkruhet më.
Rektorja e universitetit, Antonella Polimeni, shpjegoi se “Festimet e sotme kanë përfaqësuar për universitetin tonë një moment reflektimi, për t’u mbledhur dhe njohur veten në emër të vlerave të përbashkëta të komunitetit tonë. Përvjetori i këtij viti u shënua me dhimbje për vdekjen tragjike të Ilaria Sulës, studentes sonë viktimë e femicideve. Universiteti e miratoi emërtimin e hapësirës për të mos harruar atë që ndodhi dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e një vajze të Sapienzës.”
Babai i saj, Flamur Sula, shprehu emocionet e tij, duke thënë: “Sot, Ilaria rilindi.”
Trupi i 23-vjeçares shqiptare u gjet më 2 prill të vitit 2025, ndërsa ajo kishte qenë e zhdukur që prej 25 marsit. Mark Antony Samson, ish-i dashuri i saj, pasi e goditi tre herë me thikë në banesën e tij, e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore jashtë Romës.