Aktualitet

74-vjetori i UBT-së, kryeministri Rama: Do të bëhet universitet rajonal!

Në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, në 74-vjetorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për “Shqipërinë Europiane 2030”, shkenca dhe teknologjia janë aleatët më të fortë për të ardhmen e afërt europiane për fermerët, mjedisin e çdo qytetar.

Sipas shefit të qeverisë, universiteti bujqësor do të bëhet universitet rajonal, me studentë nga i gjithë vendi dhe rajoni.

Do të sjellim njehsimin e diplomës me Universitetin BOKU të Vjenës, me synimin për ta bërë Universitetin Bujqësor të Tiranës një qendër rajonale, që të tërheqë studentë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e rajonit.

Më kanë kërkuar të mbështes idenë e uljes së mesatares në këtë universitet e të shkonim në një drejtim që do të sillte më shumë njerëz, por kjo do të kompromentonte cilësinë e burimeve njerëzore, në dispozicion të zhvillimit të vendit.

Unë i thashë rektorit që duhet të synojmë t’i japim universitetit markën e ekselencës.

Sot ka sjellë një situatë optimizmi që ka rezultuar me 20% plus studentë në UBT. Jo studentë me mesatare të ulur për t’i sjellë, por sepse kanë trokitur në dyert e universitetit që ka çelur një perspektivë të re për të rinjtë dhe për ta parë të nesërmen në këtë fushë, që do jetë aq jetike, sa vlerësimi për njerëzit që punojnë në këtë fushë do të rritet, edhe në aspektin financiar.

Çështja e sovranitetit ushqimor dhe garantimit të ushqimit, në ndryshimin e kushteve me përmasa katastrofike apo mbrojtjes dhe ripërtëritjes së burimeve (marr parasysh zjarret) janë pjesë e një tematike të gjerë që i bën njerëzit e specializuar, asete të vyera e gjithnjë e më të vlefshme në kohë, u shpreh kryeministri Rama.