Infrastruktura e emergjencave do të përmirësohet falë një fondi prej 20 milionë eurosh, tha Ervin Demo në një konferencë për shtyp. Ministri i Pushtetit Vendor shtoi se transporti urban do të përmirësohet duke përdorur një financim prej 10 milionë eurosh. Nga kjo do të preken edhe kanalizimet, ujësjellësat dhe do të rehabilitohen ish-zonat industriale.
“20 mln euro do të jenë të fokusuara në logjistikë sa u përket infrastrukturës së emergjencave. Kemi financim prej 10 mln eurosh që do të jetë i fokusuar në një program të ri për përmirësimin e transportit urban, i cili problematikat po i nxjerr më shumë në pah. Besoj do të jetë edhe përgjigje e ankesave që ne hasim”, tha Demo.
Gjithashtu, bonusi i zjarrfikësve do të përfshijë mbështetje për të gjithë ata që luftojnë me zjarret.
“Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit”, u shpreh ministri.
Protesta ishte një pyetje e pashmangshme për ministrin dhe konkretisht Paketa e Maleve, për të cilin protestuesit kanë kërkuar anulimin. Demo bëri një analizë të shkurtër të simboleve të përdorura në protestë nga flamingot te arkivoli duke thënë se “flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi.”
Sa për kërkesat, disa prej tyre që konsiderohen të qenësishme, po shqyrtohen dhe qeveria është gati edhe për dialog.
“Vetë protesta në 36 ditë ka pësuar një metamorfozë shumë interesante sepse zgjodhi simbolet për të komunikuar disa mesazhe, ku i pari ishte flamingo. Pas 36 ditësh, nga flamingo na u shfaq një arkivol. Ky është një rrugëtim interesant. Nëpërmjet vdekjes s’mund të perceptohet zhvillim. Duket sikur flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi. Detyra jonë është që flamingot të ndihen si në shtëpinë e tyre kudo. Referuar kërkesave, jemi duke marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që janë të qenësishme. Mendoj që kjo protestë sjell energji dhe karburant të shtuar sa u përket reformave. Do ta kemi vëmendjen e duhur që jo thjesht t’i dëgjojmë e lexojmë, por edhe të flasim me këdo që është i prirur drejt një komunikimi që ofron produkt real. 3 kërkesat, nga një subjekt politik janë kërkuar nga një subjekt politik para se të fillonte protesta. Për Paketën e Maleve ishin mbledhur edhe firma. Ka shumë hapësirë ku nisma të caktuara përdoren për të qenë një lloj instrumenti ku të ngjallë dyshime apo vëmendje, por kjo është pjesë e politikës”, u shpreh Demo.