Celebrities Gossip Showbiz

Kanye West mbërrin në Shqipëri! Pamjet e para të reperit ndezin atmosferën!

Kanye West ka mbërritur në Shqipëri, ku mbrëmjen e sotme pritet të ngjitet në skenë për një nga koncertet më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend.

Reperi amerikan do të performojë në një stadium të improvizuar në zonën e Kasharit, ku pritet të mblidhen dhjetëra mijëra fansa.

Pamjet e para të mbërritjes së artistit janë publikuar nga “Euronews Albania”. Në video, Kanye West shihet duke hyrë në një objekt, ndërsa pritet me entuziazëm nga fansat që ishin mbledhur për ta parë nga afër.

Sipas organizatorëve, reperi do të interpretojë disa prej hiteve më të njohura të karrierës së tij, në një spektakël që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të këtij viti në Shqipëri.

Ndërkohë, autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe kanë njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në zonat përreth vendit ku do të zhvillohet koncerti.

Për organizimin e këtij eventi ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se gjithçka është gati për koncertin, duke u shprehur se kjo ngjarje “do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës.”

Megjithatë, koncerti nuk ka kaluar pa polemika. Organizimi i tij zhvillohet në një kohë kur prej javësh banorë dhe aktivistë kanë protestuar kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Për këtë arsye, eventi ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik, duke u shoqëruar me reagime të ndryshme si në mbështetje, ashtu edhe në kundërshtim të organizimit të tij.