Kanye West do të performojë nesër në Tiranë në një stadium me rreth 60 mijë vende të ngritur enkas për koncertin e këngëtarit të njohur.
Mijëra të huaj pritet të mbushin shkallët e këtij stadiumi, duke e bërë këtë ndoshta eventin më të madh të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri.
Por ajo që e dominoi debatin publik ditët e fundit lidhur me këtë ngjarje artistike ishte një vendim i qeverisë për të financuar me 4.2 milionë euro atë.
Kryeministri Rama tha se Tirana pritet të ketë një impakt të madh ekonomik falë Kanye West, duke përmendur një shifër prej rreth 100 milionë euro.
Përvoja e viteve të fundit tregon se koncertet e artistëve më të njohur, garat e Formula 1 dhe evenimente si Eurovision nuk janë vetëm aktivitete kulturore apo sportive. Ato janë një industri që gjeneron qindra miliona, madje miliarda euro, duke rritur turizmin, konsumin, punësimin dhe promovimin ndërkombëtar të qyteteve pritëse.
Formula 1 është ndër eventet që sjell ndikimin më të madh ekonomik në botë. Çdo garë tërheq qindra mijëra vizitorë, investime të mëdha dhe një aktivitet ekonomik që shtrihet në pothuajse çdo sektor.
Në krye të listës qëndron Las Vegas Grand Prix, me një ndikim ekonomik të vlerësuar mes 1.2 dhe 1.5 miliardë dollarëve amerikanë. Vetëm edicioni i vitit 2024 gjeneroi rreth 934 milionë dollarë, sipas një raporti të Applied Analysis, duke u renditur si fundjava e dytë më fitimprurëse për ekonominë e qytetit pas Super Bowl.
Edhe gara e Miami Grand Prix gjeneron mes 350 dhe 450 milionë dollarësh, ndërsa Australian Grand Prix në Melbourne sjell çdo vit mes 200 dhe 300 milionë dollarësh australianë për ekonominë vendase.
Edhe Eurovision ka dëshmuar se një event muzikor mund të shndërrohet në një motor të fuqishëm ekonomik.
Në Liverpool, qyteti që organizoi Eurovision 2023, një studim i pavarur i AMION Consulting arriti në përfundimin se eventi krijoi 54.8 milionë paund ndikim ekonomik neto. Gjatë javës së festivalit mbërritën 306 mijë vizitorë shtesë, ndërsa aktivitetet e lidhura me Eurovision tërhoqën 473 mijë pjesëmarrës. Hoteleria regjistroi 175 mijë net qëndrimi, rekordi më i lartë për muajin maj që nga viti 2018, ndërsa aktiviteti ekonomik krijoi ekuivalentin e 611 vendeve pune me kohë të plotë.
Në Malmö, që priti Eurovision 2024, autoritetet suedeze raportuan rreth 100 mijë vizitorë gjatë javës së festivalit. Hotelet funksionuan pothuajse me kapacitet maksimal, ndërsa ndikimi ekonomik u vlerësua në rreth 500 milionë korona suedeze, ose afërsisht 43–47 milionë euro.
Edhe më i madh ishte efekti në Basel, organizator i Eurovision 2025. Raporti zyrtar evidentoi se eventi gjeneroi 248 milionë franga zvicerane të ardhura në ekonominë e Zvicrës. Vetëm rajoni i Baselit përfitoi 53 milionë franga vlerë të shtuar, ndërsa ndikimi ekonomik direkt u llogarit në 91.2 milionë franga zvicerane. Gjatë javës së festivalit, zënia e hoteleve kaloi 95%, u regjistruan më shumë se 50 mijë net qëndrimi dhe aktivitetet e Eurovision tërhoqën mbi 500 mijë pjesëmarrje.
Vitet 2025 dhe 2026 treguan se ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm te garat sportive apo festivalet ndërkombëtare.
Rikthimi i shumëpritur i Oasis në vitin 2025 u shndërrua në një fenomen ekonomik në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas UK Music, gjatë vitit 24.7 milionë turistë muzikorë morën pjesë në koncerte dhe festivale, duke shpenzuar 11.2 miliardë paund në ekonomi. Vetëm turneu Oasis Live ’25 gjeneroi mbi 1 miliard paund aktivitet ekonomik, ndërsa shpenzimi mesatar për çdo pjesëmarrës arriti në 766 paund.
Një tjetër rekord u vendos nga Coldplay, që zhvilloi 10 koncerte në Wembley Stadium të Londrës. Vetëm nga shitja e biletave u arkëtuan mbi 131 milionë dollarë, ndërsa qindra mijëra vizitorë sollën një rritje të ndjeshme të aktivitetit për hotelet, restorantet dhe transportin publik.
Edhe viti 2026 ka sjellë shembuj të ngjashëm. Bad Bunny mbajti 10 koncerte në stadiumin Metropolitano të Madridit, me autoritetet spanjolle që vlerësojnë ndikimin ekonomik në rreth 200 milionë euro. Përfitimet u shpërndanë në sektorin e hotelerisë, restoranteve, transportit dhe tregtisë, falë dhjetëra mijëra turistëve ndërkombëtarë që vizituan qytetin.
Në Francë, rezidenca koncertore e Céline Dion në Paris konsiderohet një nga ngjarjet ekonomike më të rëndësishme të vitit. Parashikimet flasin për një ndikim ekonomik mes 570 milionë dhe 1 miliard eurosh, rreth 450 mijë spektatorë dhe një rritje deri në 400% të rezervimeve të hoteleve në zonën e La Défense.