Bota

Kryeministri britanik Starmer: Nuk zgjedhim mes SHBA-ve e Kinës!

Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të zgjedhë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Deklarata vjen përpara vizitës së tij në Pekin, e para nga një lider britanik pas tetë vitesh.

Starmer theksoi se Londra zyrtare do të vijojë të ketë marrëdhënie të forta me SHBA-të në biznes, siguri dhe mbrojtje. Ai theksoi se injorimi i Kinës nuk do të ishte një vendim i mençur. Sipas tij, shteti aziatik përbën një mundësi të madhe për kompanitë britanike. Me kryeministrin drejt Kinës do të udhëtojnë edhe dhjetëra drejtues biznesesh.

Vizita që po ashtu përfshin ndalesa në Pekin e Shangai, zhvillohet pas javësh me tensione në arenën ndërkombëtare. Udhëtimi vjen edhe pas miratimit të debatueshëm të një ambasade të re kineze në Londër. Kritikat kanë ngritur shqetësime për rreziqe të mundshme sigurie.

Starmer garantoi se bashkëpunimi ekonomik nuk do të cënojë sigurinë kombëtare. Ai paralajmëroi se gjatë vizitës do të ngrejë edhe çështje të ndjeshme si të drejtat e njeriut. Në fokus do të jetë edhe rasti i Jimmy Lai-t, biznesmen nga Hong Kongu me shtetësi britanike. Qeveria britanike thekson se dialogu me Kinën do të shoqërohet me qëndrime të qarta dhe parimore.