Aktualitet

Kryeministrja daneze pas Samitit të Tiranës: Të armatosemi të gjithë, nuk fitohet lufta pa…

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, në përfundim të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dha një mesazh të qartë për nevojën e forcimit të mbrojtjes së Europës përballë pasigurive globale dhe lëkundjeve në aleancën transatlantike.

“Faleminderit për mikpritjen. Ishte mikpritje shumë e ngrohtë në Shqipëri sot. Europa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky format ku shtetet ulen në tryezë dhe diskutojnë çështje të rëndësishme. Siguria do jetë çështja jonë kryesore, pasi jetojmë në një botë të pasigurt. Rusia është një kërcënim i madh.

Frederiksen theksoi rëndësinë e angazhimit të shtuar në kuadër të NATO-s dhe nevojën që Europa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet.

“Jemi të dy anëtarë të NATO-s dhe do të marrim pjesë në Samitin e Hagës. Ne do të angazhohemi më shumë në NATO për të armatosur të gjithë aleancën në një afat të shkurtër kohe,” deklaroi ajo.

Kryeministrja daneze theksoi se është një mbështetëse e madhe e lidhjes transatlantike, por shprehu shqetësimin për pasiguritë që po sjellin zhvillimet politike në SHBA, sidomos në prag të zgjedhjeve atje.

“Jam shumë transatlantike, por me pasigurinë që po sjell SHBA-ja në tryezë, duhet që Europa të kujdeset për Europën,” shtoi Frederiksen.

Ajo e mbylli deklaratën e saj me një thirrje të drejtpërdrejtë për rritjen e kapaciteteve ushtarake të kontinentit: “Nuk mund të fitosh një luftë pa armë. Armatimi i Europës është një detyrë shumë e rëndësishme. Ky do të jetë përfundimi i Samitit të Hagës pas një muaji.”

Deklarata e saj vjen në një kohë kur diskutimet për mbrojtjen dhe sigurinë në Europë janë në qendër të vëmendjes, mes një konteksti të tensionuar ndërkombëtar dhe sfidave që lidhen me marrëdhëniet.