Bota

Lituani, ushtarët amerikanë ende të zhdukur/Nxirret automjeti i fundosur!

Ekipet e shpëtimit në Lituani nxorën nga moçali një automjet të fundosur ushtarak dhe që transportonte katër ushtarë amerikanë, të cilët ende vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Automjeti i blinduar, M88 Hercules, u nxor mëngjesin e sotëm, gjashtë ditë pasi nisi operacioni i shpëtimit në bazën ushtarake të Pabradës, pranë kufirit të Lituanisë me Bjellorusinë.

Ministrja lituaneze e Mbrojtjes, Davile Sakaliene, deklaroi sot se fati i katër ushtarëve mbetet i paqartë.

Ne nuk mund të flasim për këtë, sepse para së gjithash, ende nuk ka asnjë informacion. Madje, edhe kur të marrim informacione është bërë një marrëveshje që amerikanët të jenë të parët ata që do të dalin me njoftim, i tha Sakaliene Radios Publike Lituaneze.

Automjeti i ushtarëve u gjet i zhytur në një moçal në terrenin e stërvitjeve ushtarake, Pabrade, më 25 mars. Qindra ushtarë lituanezë e amerikanë, bashkë me dhjetëra automjete, u përfshinë në nxjerrjen e tij. Lituania, vend anëtar i NATO-s dhe gjithashtu i Bashkimit Europian, pret më shumë se 1 mijë trupa amerikane.

Krahu i ushtrisë amerikane për Europën dhe Afrikën njoftoi më herët se katër ushtarët ishin duke kryer stërvitje të planifikuara taktike kur u zhdukën më 25 mars.

Në orët e para të operacionit të shpëtimit kishte disa deklarata kontradiktore, përfshirë komentet e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se ushtarët kanë humbur jetën. Më vonë, një zëdhënëse e Aleancës Veri-Atlantike e tërhoqi atë deklaratë.