Aktualitet

Moti i keq/ Përmbyten 62 banesa në Kurbin, tërhiqet uji nga 48 shtëpi në Durrës!

Reshjet e dendura të shiut, vërshimi i përrenjve malore dhe dalja nga shtrati e kanaleve kulluese kanë bërë dëme në bashkinë e Kurbinit. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, raportohen 50 banesa me prezencë uji në Kurbin dhe 12 të tjera në njësinë Milot.

Në fshatin Zhejë të Kurbinit, kanalet e vaditjes dhe ato kulluese kanë dalë nga shtrati dhe vërshojnë në rrugët e fshatit, në oborre e toka bujqësore. Uji ka ardhur me furi duke marrë përpara dhe makinat që i ka përplasur nëpër pemë. Dëmet janë të mëdha si në banesa ashtu dhe biznese.

Ndërkohë, në Manzë të Durrësit u raportua se në 48 banesa ka pasur prezencë të konsiderueshme të ujit, kryesisht në fshatrat Hamallas dhe Manzë, ndërsa situata është normalizuar shpejt ku dhe ujërat janë tërhequr. Gjithashtu në zonat periferike ka pasur dhe rrugë të bllokuara.

Ndërsa në fshatin Dritë të Matit u përmbyt banesa e familjes Neli. Uji i rrëmbyeshëm shkatërroi orenditë dhe detyroi zjarrfikëset të ndërhyjnë për te evakuuar 8 anëtarët e kësaj familje. Ata po strehohen tek të afërmit derisa situata të përmirësohet.

Për shkak të motit të keq, me shi dhe erë janë dëmtuar shtyllat elektrike dhe ka mungesë energjie në disa fshatra. Në aksin kombëtar Burrel–Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin.

Rënie gurësh ka pasur dhe në Kukës–Bushtricë dhe Tropojë–Valbonë, por aktualisht janë të lira dhe të qarkullueshme për automjetet. Nënkalimi i rrugës në fshatin Ishull Lezhë është bërë i pakalueshëm nga prezenca e ujit. Në fshatrat e Krujës, si Bilaj, Murqine, Mallkuc ka prezencë uji në tokat bujqësore dhe rrugë.

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.

Evakuime

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.

Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore.

Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

Situata sipas qarqeve:

Qarku Durrës

Bashkia Durrës:

Vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Dibër

Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.

Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Qarku Lezhë

Bashkia Kurbin:

Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.

Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.

Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.

Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës

Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.

Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Qarku Shkodër

Bashkia Shkodër:

Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.

Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.

Qarku Elbasan

Nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.

Situata Energjetike

Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në:

•             disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë),

•             fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës,

•             njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër),

•             disa njësi administrative të Qarkut Korçë.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.