Brian Wilson, një nga figurat më të rëndësishme dhe novatore të muzikës pop dhe bashkëthemelues i grupit legjendar “The Beach Boys”, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Lajmi i hidhur u konfirmua këtë të mërkurë, më 11 qershor, nga familja e tij përmes një postimi emocional në Instagram, ku u publikua edhe një foto e Wilson të buzëqeshur, ulur në një stol.
Me zemër të thyer njoftojmë se babai ynë i dashur, Brian Wilson, është larguar nga kjo jetë. Jemi thellësisht të pikëlluar. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë në këto momente të vështira. E ndjejmë këtë humbje bashkë me gjithë botën. Love & Mercy.
I lindur më 20 qershor 1942 në Inglewood të Kalifornisë, Wilson ishte fëmija më i madh në familje dhe shfaqi herët një prirje të jashtëzakonshme për muzikën.
Ai njihet për krijimin e harmonive të ndërlikuara vokale dhe melodive inovative që e bënë “The Beach Boys” një ndër grupet më me ndikim të të gjitha kohërave.
Nëpërmjet albumeve si “Pet Sounds”, Wilson jo vetëm që ndryshoi kursin e muzikës pop, por u konsiderua si një gjeni muzikor. Biografitë kushtuar jetës së tij, “Wouldn’t It Be Nice” dhe “Inside the Music of Brian Wilson”, e përshkruajnë si një mjeshtër të harmonisë dhe një ikonë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës moderne.
Vdekja e tij përbën një humbje të madhe për botën e artit dhe të gjithë ata që u rritën me tingujt e veprës së tij unike.