Kriza e çmimeve ka qenë më e ndjeshme në muajin nëntor, dhe për pasoj inflacioni ka kapërcyer edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave të INSTAT në muajin nëntor indeksi i çmimeve të konsumi ishte 3,1 % nga 1.6% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ky nivel inflacioni pritej të arrihej në mes të vitit të ardhshëm për çmimet duket se janë rritur mbi pritshmëritë e institucioneve. Më herët BSH ka thënë se në varësi të çmimeve do të merren edhe masa të tjera sa i takon politikës monetare.
Ndikimin më të madh në rritjen e ccmimeve e ka dhënë grupi i transportit me 8.8% si pasojë e shtrenjtimit të karburanteve, ndjekur nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me rritje prej 5,0 %
“Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 8,8 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, “Komunikimi” me 3,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 % “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,8 % secili, “Shërbimi arsimor” me 0,5 %. Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,5 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Ndërkohë sa i takon ushqimeve frutat, vajrat dhe buka janë shtrenjtuar më shumë.
“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 13,9 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 8,7 %, “bukë dhe drithra” me 6,6 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 5,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 5,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 4,3 %”, vijon më tej raporti.