Në vitin 2014, çmimet në Shqipëri, të llogaritura sipas standardit të fuqisë blerëse, ishin sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian.
Në vite, çmimet u rritën me ritme shumë më të shpejta sesa të ardhurat dhe më 2025-ën, ky tregues arriti në 72.6%, niveli më i lartë rekord i raportuar ndonjëherë, sipas të dhënave të Eurostat të përpunuar nga Monitor. Shifrat pritet të publikohen sot nga Eurostat.
Treguesi i Eurostat-it nuk mat çmimet në terma nominalë, por indeksin e nivelit të çmimeve sipas barazisë së fuqisë blerëse (Purchasing Power Parities – PPP).
Ky tregues krahason sa kushton e njëjta shportë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e kursit të këmbimit dhe diferencave në nivelin e të ardhurave. Një nivel mbi 100 tregon se çmimet janë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa një nivel nën 100 tregon se janë më të ulëta.
E thënë më thjesht, ndërsa në vitin 2014 për të njëjtat produkte që në vendet e BE-së duheshin 100 euro, në Shqipëri duheshin 50 euro ndërsa më 2025-ën, për 100 euro produkte të BE-së duhen rreth 73 euro.
Të dhënat tregojnë se gjithnjë e më shumë produkte po kushtojnë më shumë sesa mesatarja e BE-së, duke përfshirë dhe ato të domosdoshmet.
Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike që kushtojnë 59% më shtrenjtë se mesatarja europiane (159%).
Ndërsa mund të jetosh dhe pa pije alkoolike, apo të konsumosh verë e raki vendase, që i gjen shumë më lirë, grupi i domosdoshëm “Qumësht, produkte të tjera bulmeti dhe vezë” është 35.6% më i shtrenjtë se mesatarja e BE-së, duke u rritur më tej në krahasim me vitin e mëparshëm (32.5%).
Ndikimin kryesor e japin produktet e përpunimit të qumështit, me kosin psh që kushton më shtrenjtë se në shumë vende në Europë edhe i matur me çmime direkt. Industria e përpunimit të qumështit është ankuar vazhdimisht për kostot e larta dhe mosfunksionimin e zinxhirit të vlerës.
Pajisjet elektroshtëpiake janë një tjetër produkt që na kushton shtrenjtë me indeksin që është sa 112.3% e mesatares europiane, ose 11.3% më shtrenjtë, nga 109.7% një vit më parë.
Kur nisi kriza në Lindjen e Mesme, debati për çmimet e larta të karburanteve ishte i fortë. Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se ky produkt kushtoi gati 11% më shumë se mesatarja europiane më 2025-ën (110.5), duke thelluar diferencën me vitin e mëparshëm (106.6).
Edhe informacioni dhe komunikimi kushton gati 8% më shumë se mesatarja europiane, po ashtu dhe pajisjet e informacionit dhe komunikimit janë më të shtrenjta (106.1).
Shpenzime më të larta duhen edhe për veshje, pasi çmimet janë sa 105.2 % e mesatares së BE-së. Për herë të parë edhe ushqimet janë më të shtrenjta sesa mesatarja e BE-së, duke kushtuar 2.9% më shumë.
Produkti më i lirë në Shqipëri është duhani, që kushton sa gjysma e mesatares europiane. Lirë janë edhe restorantet, ku një darkë që mesatarisht në BE kushton 100 euro, në Shqipëri është 53 euro. Por, ky është më shumë një luks për turistët, që po tërhiqen nga çmimet e lira të akomodimit dhe shërbimit ushqimor.
Ndërsa vendasit detyrohen që produktet e domosdoshme të shportës, në pjesën më të madhe t’i blejnë më shtrenjtë se në BE, ndonëse të ardhurat e tyre nuk janë as sa gjysma e atyre të BE-së.
Sipas Eurostat-it, konsumatorët shqiptarë kanë konsumin individual për frymë fuqisë blerëse sa 48% e mesatares së Bashkimit Europian dhe të ardhurat për frymë sa 43% e mesatares së Bashkimit Europian.