Bota

Netanyahu: Kemi bërë përparim të konsiderueshëm në negociatat për lirimin e pengjeve

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu foli për “përparim të konsiderueshëm” në negociatat për lirimin e pengjeve në një video mesazh.

Kryeministri izraelit theksoi, megjithatë, se “është shumë herët për të pasur shpresa, por ne po punojmë pa ndërprerje tani dhe vazhdimisht. Shpresoj se do të jemi në gjendje të ecim përpara ” .

Herë pas here Netanyahu ka kërcënuar Hamasin për shkatërrimin e tij nëse vijon të sfidojë Izraelin.

Ndërkaq Irani kërcënoi Izraelin me hakmarrje masive në rast të një sulmi ndaj objekteve bërthamore.

Forcat e armatosura iraniane do të synojnë objektet sekrete bërthamore të Izraelit në rast të një përshkallëzimi të tillë ushtarak, sipas një deklarate nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të transmetuar nga radioja shtetërore. Informacioni mbi vendndodhjen e objektivave izraelite u mor përmes një operacioni, thuhet në deklaratë.

Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), paralajmëroi Izraelin kundër sulmit ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i thënë transmetuesit izraelit “i24news” se ato objekte janë “jashtëzakonisht të mbrojtura” dhe do të kërkonin “forcë shumë, shumë shkatërruese” për t’i dëmtuar.

Ai shtoi se një sulm mund të ketë një “efekt bashkimi” dhe mund të përforcojë vendosmërinë e Iranit për të kërkuar armë bërthamore ose për t’u larguar nga Traktati i Mospërhapjes, duke cituar bisedat që pati me zyrtarët iranianë.