Film & Tv

Netflix humb 25 miliardë dollarë pasi Elon Musk nxit fushatë për anulimin e abonimeve?

Gjiganti i transmetimit Netflix ka pësuar një humbje të madhe prej rreth 25 miliardë dollarësh (21.5 miliardë euro) në vlerën e tregut, pasi Elon Musk u bëri thirrje ndjekësve të tij që të anulonin abonimet në shenjë proteste ndaj një seriali për fëmijë me personazh transgjinor.

Shkak u bë seriali “Dead End: Paranormal Park”, i cili përfshin një protagonist që identifikohet si transgjinor. Miliarderi publikoi më shumë se 20 postime në platformën X, duke sulmuar Netflix-in dhe duke e akuzuar kompaninë për “promovimin e agjendave të zgjimit tek fëmijët”.

Anuloni Netflix për shëndetin e fëmijëve tuaj

-shkroi Musk më 1 tetor, duke shpërndarë një meme ku përmbajtja transgjinore përshkruhej si “kalë trojan” që hyn në botën e fëmijëve.

Fushata e tij nisi pasi ai reagoi ndaj një videoje nga seriali në fjalë, të cilën e quajti “të gabuar”.

Postimet e mëvonshme të Musk kritikuan edhe prodhime të tjera të Netflix-it për fëmijë, si “CoComelon” dhe “The Baby-Sitters Club”, duke pretenduar se kompania po përhap ideologji të papërshtatshme për të miturit.

Netflix, nga ana tjetër, nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare, por seriali “Dead End: Paranormal Park” është anuluar pas vetëm dy sezonesh dhe aktualisht nuk promovohet më në platformë.

Pas shpërthimit të Musk, rrjetet sociale u mbushën me postime të përdoruesve që ndanin prova të anulimit të abonimeve të tyre, duke rritur presionin ndaj kompanisë.

Ironikisht, vetë Musk ka një vajzë transgjinore, Vivian Wilson, e cila ndryshoi emrin dhe gjininë në vitin 2022. Miliarderi është shprehur më herët se “ka humbur djalin e tij për shkak të virusit të zgjuar”, duke iu referuar ndikimit të ideologjive progresive mbi të rinjtë.

Humbja e menjëhershme në treg ka ngritur shqetësime për ndikimin e fushatave të rrjeteve sociale në imazhin dhe vlerën e kompanive mediatike, sidomos kur ato nisen nga figura me ndikim global si Elon Musk.