Modelja dhe prezantuesja e njohur amerikane, Tyra Banks, ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Netflix, duke e akuzuar platformën se ka deformuar deklaratat e saj në dokumentarin “Reality Check: Inside America’s Next Top Model”.
Sipas padisë, Banks pretendon se intervista e saj është montuar në mënyrë selektive për të krijuar atë që ajo e quan një “narrativë të rreme dhe shpifëse” lidhur me rolin e saj në polemikat që kanë shoqëruar ndër vite reality show-n e famshëm të modës.
Në dokumentet gjyqësore, ish-drejtuesja e programit argumenton se dokumentari është prezantuar si një projekt faktik dhe informues, çka i bën shikuesit të presin informacion të saktë dhe të balancuar. Ajo pretendon se pjesët ku pranonte gabimet e emisionit dhe reflektonte mbi vendimet e së kaluarës janë lënë jashtë versionit final.
Shumë fragmente janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ribashkuar për të mbështetur një narrativë të rreme dhe shpifëse
-thuhet në padi.
Dokumentari rikthen në vëmendje disa nga debatet më të mëdha që kanë ndjekur “America’s Next Top Model”, duke përfshirë akuzat për bullizëm, turpërim për shkak të pamjes fizike dhe çështje që lidhen me përfaqësimin racor.
Një prej pretendimeve më të forta vjen nga ish-konkurrentja Shandi Sullivan, e cila ka deklaruar se gjatë xhirimeve në Itali në vitin 2003 ishte në gjendje të dehur dhe se producentët duhej të kishin ndërhyrë në situatë.
Banks këmbëngul se gjatë intervistës ka sqaruar se nuk ishte e përfshirë në vendimmarrjet e përditshme të produksionit, por se montazhi i dokumentarit krijon përshtypjen e kundërt, duke e paraqitur si përgjegjëse direkte për ngjarjet e përmendura.
Narrativa për zonjën Banks është një trillim i plotë që Netflix ia ka transmetuar miliona shikuesve në mbarë botën
-thuhet më tej në dokumentet ligjore.
Dokumentari trajton gjithashtu disa episode të tjera kontroverse nga historia e emisionit. Fituesja e dikurshme Dani Evans ka kujtuar presionin që kishte marrë për të mbyllur hapësirën mes dhëmbëve të përparmë, ndërsa Keenyah Hill ka folur për mënyrën se si pesha e saj trupore u kthye në pjesë të narrativës së spektaklit.
Megjithatë, vetë Banks ka pranuar në disa raste se jo çdo vendim i marrë gjatë viteve të transmetimit ishte i duhuri.
Gjatë eventit ESSENCE Black Women in Hollywood Awards, ajo deklaroi:
A i kemi bërë të gjitha siç duhet? Aspak. Kam thënë edhe gjëra të gabuara.
Ajo ka reflektuar edhe për momentin e famshëm kur i bërtiti konkurrentes Tiffany Richardson, duke pranuar se kishte humbur kontrollin.
Po ashtu, ka komentuar edhe fotosesionin e diskutueshëm ku konkurrentet transformoheshin përmes grimit në persona të racave të tjera, duke pranuar se sot e kupton pse ai koncept konsiderohet problematik.
Pavarësisht kritikave, Banks refuzon që karriera dhe ndikimi i saj të gjykohen vetëm përmes momenteve më të debatuara të emisionit.
Refuzoj që trashëgimia ime të përkufizohet nga disa momente të shpërndara në internet, kur kemi pasur 24 sezone që kanë ndryshuar jetën e shumë njerëzve
-është shprehur ajo.
Deri tani, Netflix nuk ka bërë asnjë koment publik në lidhje me padinë e ngritur nga Banks.