Aktualitet Politikë

Nis protesta e opozitës, dhjetëra persona në bulevard, bllokohen rrugët!

Ashtu sic ishte paralajmëruar, opozita ka nisur “Foltoren” para Kryeministrisë. Protesta është lajmëruar të mbahet në ora 18:00, ndërsa pritet të mbërrijë në “foltoren” e improvizuar para godinës së qeverisë, kreu i PD, Sali Berisha.

Duke e quajtur “Foltoren 2”, Berisha më herët u shpreh se qëllimi i saj nuk është vetëm shpëtimi i opozitës, por i Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë. Ai paralajmëroi se fundi i qeverisë do të vijë nga kjo betejë në shesh.

“Foltorja nuk ka mision të shpëtojë opozitën por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga krimi. Fundi i qeverisë do vijë nga ky shesh. Ne do vijojmë betejën tonë si misionarë dhe do vijojmë deri në largimin e tyre dhe rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Në fokus të protestës së sotme vijojnë të jenë akuzat ndaj qeverisë për “heshtjen” e opozitës në parlament, korrupsionin si dhe mungesën e votës së lirë.

Për mbarëvajtjen e protestës, policia ka marrë masa duke rrethuar për mbrojtje godinën e Kryeministrisë, ndërsa rrugët që çojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë kufizuar për qarkullim.

Për tubimin, policia e kryeqytetit ka gati planin e masave. Nuk lejohen të parkohen automjetet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”: nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me “Ibrahim Rrugovën”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin “Zhan D’Ark” dhe atë ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me “Ibrahim Rugovën”.

Prej një ore e deri në përfundim të tubimit ka bllokim të lëvizjes së makinave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme e deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu, në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” e “Ismail Qemali”. Policia e Tiranës apelon që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset e bllokuara e të përdorin rrugë alternative.