Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Airbuds
E dini që aplikacioni më hot për Gen Z nuk është TikTok, Instagram apo Snapchat – është Airbuds. Një rrjet social që po shpërthen mes të rinjve, dhe që s’është as nga Meta, as nga Apple. Airbuds është një aplikacion nga San Francisco që lejon përdoruesit të shprehen përmes muzikës. Ideja është e thjeshtë: një widget në telefon që tregon çfarë po dëgjon ti dhe çfarë po dëgjojnë shokët e tu – në kohë reale.
Dhe nuk është thjesht “po dëgjoj këtë këngë”. Mund të reagosh me emoji, stickers apo edhe selfie, mund të bisedosh me miqtë në chat, dhe ka edhe një “ghost mode” kur do të dëgjosh muzikë pa u bërë publik. Si psh kur do të dëgjosh “Ra faja prej fiku” fshehurazi dhe s’do ta marrë vesh askush .
Do thoni ju po sa i famshëm është ky aplikacion? Airbuds ka mbi 15 milionë shkarkime dhe 5 milionë përdorues aktivë në muaj, prej të cilëve 1.5 milionë e hapin aplikacionin çdo ditë. Investitorët po e marrin seriozisht: kompania në total, ka marrë mbi 10 milionë financime.
Pse ka funksionuar? Sepse është i thjeshtë. Spotify dhe Apple Music kanë provuar prej vitesh të bëjnë diçka sociale. Por Airbuds ka kapur pikërisht pjesën e “identitetit dhe vetë-shprehjes.
Dhe për Gen Z, duket se ky është kombinimi perfekt.