Rajoni

Oda Ekonomike e Kosovës kërkon liberalizimin e tregut të energjisë elektrike!

Oda Ekonomike e Kosovës iu drejtua institucionit të Avokatit të Popullit, duke i kërkuar që të nisë proces në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar për një vit vendimin lidhur me kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë. Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) kërkoi që të gjitha kompanitë me mbi 50 punonjës ose me xhiro mbi 10 milion euro, të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Sipas Odës Ekonomike, një kalim i tillë në treg të hapur do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e prodhimit apo shërbimit.

Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve.

Në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit, OEK renditi arsyet mbi një pezullim njëvjeçar. Bizneset po argumentojnë se dalja nga tregu i rregulluar mund të sjellë rritje të ndjeshme të kostove të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare.

Shumë kompani nuk janë të përgatitura për këtë kalim dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur me modelin e tregut të lirë. Një kalim i menjëhershëm në një treg të liberalizuar të energjisë do të bënte që bizneset më të vogla të penalizoheshin më shumë, duke ndikuar negativisht në konkurrencë.

Po ashtu, OEK-u kërkon që me këtë vendim të mos vendoset një numër i përcaktuar i punonjësve apo një prag mbi vlerën e qarkullimit si kritere për daljen në tregun e hapur.

Duke marrë parasysh këto shqetësime, bizneset i bëjnë thirrje ZRRE-së që të shqyrtojë mundësinë e shtyrjes së afatit për kalimin në tregun e hapur të energjisë për të paktën një vit. Një periudhë tranzicioni më e gjatë do t’u lejonte kompanive të përshtatin strategjitë e tyre dhe të shmangin goditjet e papritura financiare.

Si pjesë e ligjit për energjinë elektrike, vendimi i ZRRE-së nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike. Referuar ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.

Operatori KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energjinë elektrike në Kosovë. Çmimet e produkteve të KESCO-s i përcakton ZRRE-ja.