Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e zbuluar një ditë më parë në Tiranë, ku një palestinez vrau bashkëshorten brenda një apartamenti të marrë me qira, në rrugën “Gjon Muzaka” në kryeqytet. Top Channel ka mësuar se Ryyan Alwan 24 vjeçe dhe bashkëshorti i saj, Fadi Alwan 49, jetonin në Gjermani.
Nga shteti gjerman, ata kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit me një fluturim të datës 19 shkurt e janë prezantuar me dokumente greke te kontrolli i pasaportës. Nga Rinasi, morën taksi për te zona e Rrugës së Kavajës ku dhe u vendosën në apartamentin me qira.
Në pamjet filmike, 49 vjeçari shfaqet duke u larguar nga zona e Rrugës së Kavajës dhe më 22 shkurt ka ikur në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Greqisë. Grupi hetimor ka dyshime të forta që edhe krimi ka ndodhur po më 22 shkurt, pra 6 ditë më parë.
Dyshohet se 49-vjeçari palestinez, fillimisht e ka dhunuar dhe më pas e goditi me thikë, duke e mbuluar me çarçaf bashkëshorten. Po ashtu, mori me vete të gjitha mjetet e identifikimit, si edhe telefonin e çdo send personal të 24-vjeçares. Lidhur me krimin e rëndë ka ende shumë pikëpyetje që mbeten për t’u zbardhur nga grupi hetimor.