Aktualitet

Panair Pune në Athinë, Rama: Vijmë përsëri në vjeshtë/Flet për pagat!

Nga Athina ku është hapur një Panair Pune me 120 kompani shqiptare që prezantuan ofertat, kryeministri Edi Rama tha se do të jenë sërish në kryeqytetin grek me një panair të tillë në vjeshtë, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të kthehen dhe të punojnë e investojnë në atdhe.

Do të vijmë përsëri dhe do të jemi këmbëngulës sepse të 120 kompanitë që kanë ardhur këtu sot, ofrojnë vende pune dhe paga më të mira se pagat që fitohen në të njëjtat vende pune këtu në Greqi. Sot të gjithë ata që e kanë ndjekur dhe e ndjekin Shqipërinë nga kanalet e kënetës, ku vazhdon zhurma e bretkosave që në Shqipëri merren 200 mijë lekë të vjetra, mund të shohin sektorin e turizmit.

Para se të hyja, po flisja më dikë që punon këtu sanitare në një hotel ku për 21 dhoma që kishte në përkujdesje merrte 980 euro. Një sanitare për 6 dhoma në bregdetin e Shqipërisë merr 950 euro.

Edhe pse në Athinë, kreu i qeverisë nuk la pas një mesazh për drejtësinë:

Për atë, për të cilën ata thonë që unë dhe ne duhet të ulim kokën, pikërisht për atë duhet dhe jam kryelartë. Ata që janë të lidhur me pushtetin politik nuk janë të paprekshëm. Një pushtet, ky i yni, dorëzoi shpatën e ndëshkimit te një pushtet tjetër. E morëm detyrën jo të rrimë të ngrohim vezë, por ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së.

Në vetëdijen e plotë, kemi dorëzuar shpatën te pushteti i drejtësisë dhe kemi vënë në dispozicion organizmin tonë. Vetëm kështu mund të luftojmë korrupsionin seriozisht dhe mund të bëhemi të barabartë me të gjitha ata që na shohin nga distanca dhe që janë në tryezën e BE-së. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër.

Ne jemi të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë. Ne jemi të vendosur t’i durojmë të gjitha dhimbjet e padrejta. Qeveria jonë ka një mision: të udhëheqë Shqipërinë. Puna jonë nuk është si gjithë punët e tjera, puna jonë është një mision. Japim respekt, duam respekt, ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje. Këtë e kemi siguruar dhe për ta kthyer në një marrëdhëniet të përgjithshme, na duhet flamuri atje dhe duhet t’ia vëmë vulën kësaj historie me marrjen e statusit anëtar të BE-së.