Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njoftoi se organet më të larta drejtuese të partisë kanë vendosur të tërhiqen nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.
Presidenca qendrore dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë, deklaroi Taravari pas një mbledhjeje. Po rikthehemi mes qytetarëve. Në zgjedhjet lokale të tetorit, ne do të kemi një rezultat shumë më të mirë, tha ai, duke shtuar se qytetarët po i kritikojnë sepse premtimet për ndryshime nuk janë përmbushur.
Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Sot konstatuam se nëse brenda qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet që të largohemi prej saj, shtoi Taravari.
Po ashtu, nënvizoi se pakënaqësia mes elektoratit shqiptar është e madhe, sidomos për shkak të përdorimit të “Balancuesit” dhe ngecjeve në rrugën drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, shqiptarët ndihen të trajtuar më keq se më parë.
Pak kohë më parë, ministri i Mjedisit dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, njëherazi lider i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit VLEN deklaroi se priste që Taravari, ashtu siç u largua nga koalicioni për zgjedhjet lokale, të largohej edhe nga qeveria. Ai i pati përcjellë mesazhin se “nuk mund të bashkëpunosh me BDI-në [Bashkimin Demokratik për Integrim] dhe njëkohësisht të jesh pjesë e ekzekutivit”.
Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Taravari ka vendosur të garojë me listat e veta në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pas kësaj, partitë e tjera të koalicionit VLEN vendosën që ta shndërrojnë koalicionin në parti, por pa Aleancën. Taravari është takuar edhe me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, si dhe është paralajmëruar një takim i ri mes tyre. Vetë kryeministri ka deklaruar se qeveria është e qëndrueshme, e fortë dhe me shumicë të madhe, me apo pa Arben Taravarin.