Aktualitet

Pasojat e para të motit të keq me shi dhe erë!

Moti i keq, me reshje të dendura shiu dhe stuhi ere, sjell problematikat e para në vend. Në Librazhd, lagështira në rrugë bëri që drejtuesi i një makine të humbiste kontrollin dhe automjeti u përmbys, fatmirësisht pa pasoja serioze.

Në qytetin e Elbasanit u rrëzua një pemë duke bllokuar rrugën pranë Urës së Zaranikës.

Në rajonin juglindor, krahas dëmeve në bujqësi, mesditën e sotme në aksin kombëtar Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec, era e fortë rrëzoi një pemë duke bllokuar një anë të rrugës. U punua për heqjen e pemës dhe rikthimin në normalitet të trafikut.

Ndërkohë, në Maliq breshëri dëmtoi të mbjellat e fermerëve, kryesisht në fshatrat Pendavinj e Tërovë.

Po për shkak të shirave intensivë, uji vërshoi nëpër akse e lagje, madje duke prekur dhe disa biznese në qytetin e Lezhës. Situata më problematike u  krijua ne bulevardin “Gjergj Fishta”, në rrugën pranë shkollave dhe bllokun e banimit “11 Janari”. Rritja e nivelit të ujit vështirësoi  lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Reshjet e dendura sollën probleme edhe në Kurbin, madje duke bllokuar lëvizjen  e automjeteve në Fushë Mamurras. Nga bllokimi i nënkalimit në aksin e autostradës Milot-Thumanë, një pjesë e makinave u detyruan të kthehen, për të ndjekur rrugë alternative.

Këtë ditë të fundit të javës që po lëmë pas, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, me vranësira të dendura e rrebeshe shiu, shoqëruar me mini-stuhi të forta ere. Por, sipas shërbimit MeteoAlb, orët e vona të natës rikthejnë kthjellimet. Ndërkohë, temperaturat variojnë nga 11 në 31 gradë celcius.