Aktualitet

Përplasja e policit të rrugores dje në ‘Fresk’, efektivi ka thyerje të shumta në trup! Në pranga shoferi, i dha gaz makinës dhe mori para për disa metra policin

Efektivi i Policisë Rrugore A.L. që u aksidentua nga një mjet në zonën e Freskut në Tiranë të martën, ka dëme të konsiderueshme dhe thyerje në trup si pasojë e përplasjes.

Në momentin e ngjarjes, 2 efektivë të Rrugores ishin të planëzuar për hapjen e qarkullimit në zonë, pasi do të kalonte eskorta e Kryeministrit.

Drejtuesi i mjetit Isniq Nokshiqi, 36 vjeç, me origjinë nga Tropoja, ka qenë i ndaluar dhe duke sharë e bërtitur, për arsye të paqarta. Policët i janë afruar për ta qetësuar dhe për t’i kërkuar të lëviz makinën. Megjithatë, i riu u është kthyer me tone të ashpra edhe policëve, duke i sharë dhe ofenduar.

Në momentin që njëri prej policëve ka qenë para makinës, i ka dhënë gaz dhe e ka marrë para për disa metra, duke i rrezikuar seriozisht jetën.

Menjëherë pas ngjarjes është larguar, por është lokalizuar nga agjentët e Komisariatit nr. 4 dhe është arrestuar.

LEXO EDHE: Shpërthim me tritol në zyrën e noterit Fran Gjoni në Lezhë, vëllait të ish-gjyqtarit Gjin Gjoni!

‘Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).

Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë.

Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.
Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve është arrestuar shtetasi I. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.’, njofton policia.