Aktualitet Politikë

Nufi në Itali, takim me ministrin Guido Crosetto: Intensifikojmë bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë!

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Ermal Nufi zhvilloi një vizitë në Itali, ku u mikprit nga, Ministri i Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto.

Gjatë takimit të dyja palët ri-konfirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri Nufi vuri theksin te rëndësia e partneritetit të ngushtë dhe të veçantë me Italinë, veçanërisht në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në hapësirën Adriatiko-Joniane, në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore – rajone ku vendi ynë vijon të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Të dy ministrat nënvizuan se Shqipëria dhe Italia po intensifikojnë bashkëpunimin e tyre strategjik në fushën e mbrojtjes. Ky hap pason marrëveshjen e nënshkruar mes shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe kompanisë së mirënjohur italiane “FINCANTIERI” për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake, një bashkëpunim që pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve detare të Forcave tona Armatosura dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

LEXO EDHE: BE miraton 21 milionë euro asistencë për Shqipërinë, Nufi: Mbështetje thelbësore për Forcat e Armatosura

Pjesë e bisedimeve ishte edhe forcimi i rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, veçanërisht në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm dhe ku përgatitjet kanë nisur me krijimin e Task-Forcës dhe Skuadrës Kombëtare të Organizimit të Samitit.

LEXO EDHE: Pirro Vengu i dorëzon detyrën Ermal Nufit si ministër i Mbrojtjes: Forcojmë kapacitetet e sigurisë!