Qindra mijëra njerëz vazhduan protestat në Stamboll e në të tjera qytete në Turqi për natën e pestë radhazi. Kjo pasi rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu u arrestua dhe u akuza për korrupsion. Polica përdori gaz lotsjellës, plumba gome e topa uji kundër protestuesve, të cilët valëvitën flamuj turq dhe mbanin në duar pankarta pro-opozitës. Raportohet edhe se ka pasur përleshje mes policëve e protestuesve.
Imamoglu, kryebashkiak i Stambollit, pritej që dje të zgjidhej gjatë një votimi si kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi, të planifikuara për vitin 2028. Por, Imamoglu dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë politikanë, gazetarë e sipërmarrës u ndaluan më 19 mars, si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit.
Kryebashkiaku i njohur akuzohet për “themelimin dhe menaxhimin e një organizate kriminale, marrje ryshfeti, përvetësim” e të tjera vepra penale. Imamoglu, anëtar i CHP-së, partisë kryesore opozitare kundër aleancës qeverisëse të Erdoganit ka mohuar akuzat, duke i përshkruar si “shpifje të paimagjinueshme”.
Nuk do të përulem kurrë, shkroi Imamoglu në X, para se të arrestohej.
Arrestimi i tij po shihet si një akt i motivuar politikisht, për ta larguar nga gara presidenciale. Por, qeveria këmbëngul se gjykatat e vendit janë institucione të pavarura. Dje në mbrëmje, bashkëshortja e Imamoglut, Dilek Kaya Imamoglu, iu drejtua protestuesve pranë Bashkisë së Stambollit, duke iu thënë se “padrejtësia” që ka përjetuar bashkëshorti i saj ka “prekur çdo ndërgjegje”.
Arrestimi i Imamoglut dhe të tjerëve ka përshkallëzuar më tej tensionet politike duke nxitur protesta në mbarë Turqinë, me demonstrues që janë mbledhur në të paktën 55 provinca, për t’i shprehur mbështetjen. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, shkroi në rrjetet sociale se mbi 340 persona u arrestuan gjatë protestave në qytetet kryesore.
Nuk do të ketë tolerancë për ata që kërkojnë të prishin rendin shoqëror, të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e popullit e që mbjellin kaos e provokime në qytete si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Adana, Antalia, Çanakale, Eskishehiri, Konia dhe Edrene.
Disa vende europiane kanë shprehur shqetësim për zhvillimet në Stamboll, duke thënë se kanë frikë për pasojat ndaj demokracisë pas këtij veprimi.
Arrestimi i kryebashkiakut është thellësisht shqetësues, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Turqia duhet t’i respektojë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur.