Bota

Gjykata turke urdhëron burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit, Imamoglu!

Një gjykatë vendosi arrest me burg për kryebashkiakun e Stambollit, rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan. Në qeli do të qëndrojë deri në përfundimin e gjykimit lidhur me akuzat për korrupsion. Imamoglu u ndalua pas një kontrolli në shtëpinë e tij, më herët gjatë javës, duke nxitur valën më të madhe të protestave në Turqi në më shumë se një dekadë. Arrestimi ka thelluar shqetësimet lidhur me demokracinë dhe sundimin e ligjit në shtetin turk.

Burgosja e tij po shihet gjerësisht si lëvizje politike për të larguar një kundërshtar kyç nga gara e ardhshme presidenciale, më 2028-ën. Zyrtarët qeveritarë mohuan akuzat se veprimet ligjore ndaj figurave opozitare janë të motivuara politikisht dhe thanë se gjykatat e Turqisë veprojnë në mënyrë të pavarur.

Arrestimi zyrtar vjen pasi partia e tij opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP), nisi zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur kandidatin për president, që të mbështesë Imamoglu-n për këtë post, pavarësisht prangosjes. Në mbarë vendin  ka vendosur kuti simbolike votimi, duke i quajtur “kuti të solidaritetit”. Qytetarët, që nuk janë anëtarë të partisë lejohen të shprehin mbështetjen e tyre për kryebashkiakun e Stambollit.

Arrestimi shënon përshkallëzim të shtypjes së qeverisë ndaj figurave opozitare dhe zërave kritikë. Para ndalimit, Imamoglu përballej me disa raste penale që mund të rezultonin në dënim me burgim dhe me ndalesë politike. Ai ishte në proces të apelimit të një dënimi të vitit 2022 për fyerjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë.

Më herët gjatë javës, një universitet anuloi diplomën e tij, duke thënë se kishte pasur parregullsi gjatë transferimit të Imamoglut nga një universitet privat në Qipro, rreth 30 vjet më parë. Ky vendim, në mënyrë efektive e ndalon të garojë për president, post që kërkon që kandidatët të kenë diploma universitare. Imamoglu është zotuar se do ta sfidojë vendimin.

Imamoglu u zgjodh kryetar i qytetit më të madh në Turqi, në mars 2019, duke i dhënë goditje të rëndë Erdoganit dhe partisë së tij, që ka udhëhequr Stambollin për një çerek shekulli. Partia e Erdoganit kishte tentuar të anulonte rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke pretenduar parregullsi. Pas kësaj, zgjedhjet u përsëritën dhe Imamoglu fitoi sërish.