Aktualitet Politikë

Protestat e banorëve, Rama: Do të bëhet ujësjellësi i ri për Tragjasin!

Në rrjetet sociale ku po bashkëbisedon me qytetarët, kryeministri Rama iu përgjigj kritikave të komentuesve për një projekt të ndërtimit të ujësjellësit të ri që nis në zonën e Tragjasit, te burimet e Izvorit dhe përfundon në Dhërmi. Banorët kanë dalë në protestë për ta kundërshtuar. Ndërsa thekson se nuk mund të bllokohen projektet, Rama shprehet se në fund, të gjithë do të jenë të lehtësuar.

Unë jam përpjekur ta shpjegoj që projekti bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik. Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, janë bërë analiza për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjesh ka dhe sa i duhen mjedisit ekologjik, përfshirë vaditjen e tokave. Sa prurje ikin në det, etj…

Të gjita këto aspekte teknike që i dinë më mirë ekspertët, mbi bazën e këtyre është bërë projekti. Sistemi atje është komplet i amortizuar, një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime për të marrë ujë me puse. Ne e shohim si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmin dhe transformimin për vetë banorët. Edhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit. Do të bëhet ujësjellësi i ri për Tragjasin, kanalizime të reja. Një projekt bëhet me profesionistë dhe bazohet në matje, analiza që krijojnë idenë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit që të ruhen të gjitha balancat.

Po ashtu, Rama theksoi se dalja e tij “live” në rrjetet sociale nuk është punë qejfi, por punë, përmes së cilës bën dhe një bilanc të punëve të kryera. Kryeministri ka ironizuar koalicionin opozitar.

Puna ime nuk është punë krahu, është punë mendjeje. Një nga detyrat e mia është të komunikoj, të sqaroj, të reagoj. Kjo për mua është punë, nuk është qejf. Unë nuk jam tiktokist, por jam përfaqësues i zgjedhur, edhe i atyre që nuk më kanë zgjedhur.  Në fund fare kam detyrimin të shpjegoj gjerat sipas këndvështrimit tim dhe kjo është arsyeja se pse dal live. Duke u afruar dita e zgjedhjeve kam vendosur të intensifikoj daljet. Sepse tani është bërë dhe një koalicion shumë i madh.