Aktualitet

Rama: Tirana në negociata për të sjellë edicionin e “Globe Soccer Awards”, në garë me Madridin!

Në rubrikën e rikthyer pas zgjedhjeve “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përpiqet të jetë mikpritëse e eventit “The Globe Soccer Awards”, ngjarje e rëndësishme për futbollin botëror. Rama konfirmoi se janë në diskutime për ta sjellë në Tiranë, por kanë diskutuar edhe Durrësin e Vlorën si opsione. Kryeministri iu referua si një event i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme.

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se po punohet për të sjellë në Shqipëri edicionin europian të “Globe Soccer Awards” (Çmimi i Globit të Futbollit). Ndërsa e konsideroi një eveniment të jashtëzakonshëm, shefi i qeverisë deklaroi se dy vendet pretendente për t’u zgjedhur janë Spanja (Madridi) dhe Shqipëria, ndërsa shpreson që vendi ynë të zgjidhet për të dhënë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit.

Ndërkohë jemi në një diskutim së fundi për të sjellë në Shqipëri, 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar edhe Durrësin e Vlorën si opsione, edicionin europian të “Globe Soccer Awards” (Çmimi i Globit të Futbollit).

Eshtë një eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket edicionit të vet global në Dubai dhe prej edicionit europian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne këtu në Shqipëri. Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do të jemi ne dhe do jetë fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer, Lamine Yamal t’ia japim këtu në Tiranë, deklaroi Rama, teksa shtoi se po punohet gjithashtu për të sjellë në Shqipëri një edicion të Padel International.

Ndërkohë po punojmë edhe me Padel International, aktivitet i jashtëzakonshëm me mbulim të jashtëzakonshëm në gjithë botën që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij.