Versioni i fundit i syzeve inteligjente të kompanisë Meta së bashku me partnerin e saj EssilorLuxottica ka arritur në treg dhe konsiderohet më i adaptueshëm, sidomos për njerëzit që përdorin syze me dioptri. Modeli i ri përfshin dy stile të reja kornizash; Ray‑Ban Meta Blayzer Optics dhe Ray‑Ban Meta Scriber Optics, të cilat vijnë me rame më të holla dhe majë të rregullueshme te krahu i syzeve, për një përshtatje më të mirë sipas formës së kokës.
Siç sugjeron edhe emri “Optics“, këto syze janë kompatibile me një gamë të gjerë lente dioptrike, përfshirë lente progresive. Syzet janë në dispozicion për paraporosi dhe do të dalin në shitje më 14 prill, me çmim fillestar prej rreth 499 dollarë, që është më e shtrenjtë se modeli standard Gen‑2 që fillon nga 379 dollarë. Ky çmim nuk përfshin lente dioptrike, të cilat mund të kushtojnë edhe 200‑300 dollarë ose më shumë.
Meta gjithashtu ka shtuar funksione të reja inteligjente me Meta AI, si përkthim në kohë reale për gjuhë të ndryshme dhe mundësi për të ndjekur ushqimin dhe vlerat ushqimore, si dhe përmbledhje navigimi mesazhesh. Në thelb, modeli i ri i syzeve Ray‑Ban Meta ofron më shumë mundësi personalizimi dhe mbështetje për përdoruesit me nevoja të veçanta, por vjen edhe me një çmim më të lartë.
Një aplikacion i ri i quajtur Nearby Glasses është bërë hit te përdoruesit që shqetësohen për privatësinë e tyre. Ai është krijuar si përgjigje ndaj rritjes së përdorimit të syzeve inteligjente Meta Ray‑Ban dhe dërgon një njoftim të menjëhershëm në telefonin tuaj sa herë që zbulon një pajisje regjistrimi afër jush. Autor i aplikacionit, Yves Jeanrenaud, thotë se ky është kontributi i tij për të luftuar teknologjitë e përhapura të mbikëqyrjes.
Aplikacioni skanon sinjalin unik Bluetooth që dërgojnë syzet inteligjente kur janë aktive. Sapo dikush me një pajisje të tillë hyn në rrethin tuaj, ju merrni një njoftim (push notification) që ju paralajmëron se mund të jeni nën regjistrim. Zhvilluesi pranon se mund të ketë gabime (p.sh. të njohë edhe pajisje të tjera si syzet VR), por ky është një nga mjetet e para konkrete për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm në hapësirat publike.