Autoritetet meksikane kanë arritur të gjejnë dhe më pas të identifikojnë trupin e gazetares Roxana Guzmán, e cila ishte rrëmbyer më 2 qershor 2026 në Nanchital, në shtetin Veracruz.
Sipas Prokurorisë lokale, zbulimi i vendndodhjes së trupit u bë i mundur pas dëshmisë së një prej katër oficerëve të policisë bashkiake të arrestuar më 26 qershor, të dyshuar për përfshirje në rrëmbim në bashkëpunim me grupe kriminale të lidhura me kartelët e drogës.
Guzmán ishte prej kohësh në shënjestër të organizatave kriminale për shkak të raportimeve të saj investigative në portalin “Pulso Nanchiteco”. Në vitin 2017, bashkëshorti i saj ishte vrarë, duke e detyruar atë të largohej përkohësisht nga Veracruz.
Ditën e rrëmbimit, ajo kishte arritur të transmetonte drejtpërdrejt në rrjetet sociale momentin kur persona të armatosur hynë me forcë në banesën e saj. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e të gjithë të përfshirëve.