Aktualitet Politikë

Reforma në Drejtësi, Rama: Po u dhatë votën do të reagojnë duke e shkrirë SPAK-ut!

“Partia Socialiste mbështet drejtësinë e re”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në komunikimin e radhës në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur komenteve të ndjekësve, lidhur me Reformën në Drejtësi.

Besimin, populli e tregon me votë dhe qëkur erdha në këtë detyrë, ma ka dhënë 9 herë besimin e të siguroj që do të ma japë më 11 maj për të 10-ën herë dhe me rezultat më të mirë. E kam këtë bindje sepse ky popull nuk mendon që unë duhet të jap dorëheqjen, sepse udhëhoqa pavarësimin e drejtësisë dhe i hapa rrugën goditjeve në nivele të larta, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë nga 1912-ta e deri kur me PS-në udhëhoqëm dhe realizuam Reformën në Drejtësi. Këtë priste populli, fundin e pandëshkueshmërisë.

Në 3 mandate kam patur 60 ministra e deri tani 2 ministra të mandatit të parë janë dënuar, një tjetër është në paraburgim që mund të ndiqet fare mirë në gjendje të lirë dhe ish-zv.kryeministri ka marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë. Nga njëra anë, këto janë pasqyrë e një vullneti të hekurt politik për të mos penguar drejtësinë të bëjë punën e saj dhe pa këtë vullnet, kjo nuk do të ndodhte kurrë. Nga ana tjetër, me ligj dhe zakonin e vjetër shqiptar, “hajdut” quhet dikush që dënohet me prova e jo ai që lincohet me gurë në pazar, pa prova. Të thuash të dolën të gjithë hajdutë është thjesht t’i bashkohesh korit të blegërimave të kopesë.

Deri para se të bëhej Reforma në Drejtësi, reagimi ishte marrje në mbrojtje, pengim i drejtësisë. Ata që duan ta kthejnë përmbys reformën, ende janë mes nesh dhe me përbetimin se më 11 maj, po iu dhatë votën do të reagojnë duke e shkrirë SPAK-un.

Natyrisht, s’kanë për të marrë votën dhe SPAK-ut nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Ne nuk bëjmë avokatinë e asnjë individi për rastin e vet konkret, por ka ardhur koha të ngrejmë zërin për standardet demokratike të proceseve, sepse pavarësia e drejtësisë shqiptare u arrit.

Drejtësia europiane që duam për Shqipërinë 2030 është një drejtësi ku pavarësia nuk mundet të kthehet në shqelm ndaj standardeve demokratike. Pavarësi, profesionalizëm dhe garanci kushtetuese për çdokënd që hetohet e gjykohet, por kurrsesi nuk duhet të poshtërohet në pazar dhe të merret peng e të tërhiqet zvarrë nëpër kanalet e llumit mediatik.