Ndotja e pyllit të Semanit edhe këtë sezon veror ofron një panoramë të pakëndshme në hyrje të plazhit.
Megjithëse aksionet e pastrimit nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe pushteti vendor, pushuesit nuk ndalojnë së hedhuri mbetjet në pyll, duke shkaktuar ndotje të vazhdueshme.
10 të rinj vullnetarë nga Sllovakia, Ukraina dhe Polonia i janë bashkuar vullnetarëve nga Fieri për të pastruar territorin e pyllit me pisha të Semanit, pavarësisht se vetëm aksionet nuk mjaftojnë për të ndalur ndotjen.
Sipas tyre, zgjidhja është përgjegjësia dhe sjellja e qytetarëve ndaj mjedisit, që në rastin e Semanit është e thjeshtë: një qese mbeturinash me vete pas çdo vizite në zonë. Vullnetarët vendas ndihen të turpëruar përballë kësaj situate.
Tonelata të tëra me mbetje u mblodhën një muaj më parë nga punonjësit e bashkisë në pyllin e Semanit, por ndotja vazhdon pasi zona frekuentohet edhe gjatë verës nga pushuesit që ndalojnë në pyll pas plazhit ose në raste festash.