Në Parlamentin e Serbisë po mbahet seancë ku do të zgjidhen anëtarët e qeverisë së re serbe. Në propozimin mbi përbërjen e kabinetit janë 30 ministra, mes tyre 10 emra të rinj. I mandatuari Gjuro Macut tha se institucionet duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë e se kjo është detyra themelore e ekzekutivit.
Serbia është e lodhur nga ndarjet dhe bllokadat. Askush nuk ka e as nuk guxon të ketë më shumë të drejta se tjetri dhe kjo është e vetmja masë e vlerës. Protestat dhe pakënaqësitë janë shprehje e natyrshme e ndarjeve të rinisë, por jo edhe bllokadat e mohimi i të drejtave të të tjerëve për të punuar, për t’u shkolluar dhe për të jetuar normalisht.
Macut shtoi se prioriteti i tij i parë është funksionimi i shkollave dhe fakulteteve.
Kur ia mohon dikujt të drejtat, siç janë e drejta për lëvizje dhe arsimim, atëherë bëhesh uzurpator i lirive të të tjerëve. Detyra ime është që të gjitha pakënaqësitë t’i diskutojmë në të gjitha forumet e përcaktuara me Kushtetutë e ligj, si dhe ta mbështesim rininë tonë në përpjekjet e tyre, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e ligjin dhe në një mënyrë që askush të mos ketë më shumë të drejta se të tjerët.
Macut shtoi se kërkesa e tij si i mandatuar do të jetë që ministrat “të jenë më shumë pranë popullit dhe me popullin”.
Qeveria duhet të fitojë lëvizshmëri dhe efikasitet në shërbim të popullit.
Ai paralajmëroi vazhdimin e ndihmës për serbët që jetojnë në Kosovë, si dhe ruajtjen e vazhdimësisë në orientimin e politikës së jashtme të Serbisë. Dje i dorëzoi Kuvendit propozimin mbi përbërjen e qeverisë së Serbisë, bashkë me biografitë e anëtarëve të propozuar. Presidenti Aleksander Vuçiç, më 6 prill i besoi mandatin për formimin e qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Macut. Më parë, Vuçiç ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare.
Opozita propozoi formimin e një qeverie të tranzicionit, çka u refuzua nga koalicioni qeverisës në Serbi. Qeveria serbe është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviçit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re. Vuçeviç dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.
Në qendër të kërkesave të protestuesve, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.