Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres nuk sheh nevojën për zgjedhje të reja në Ukrainë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, duke hedhur poshtë një propozim të presidentit rus Vladimir Putin.
Ukraina ka një qeveri legjitime dhe padyshim që duhet respektuar, tha Guterres në Nju Jork kur u pyet për sugjerimin e Putinit.
Putini kishte propozuar më herët vendosjen e Ukrainës nën administrimin e përkohshëm të OKB-së ndërkohë që mbahen zgjedhjet e reja. Presidenti rus sugjeroi se Ukraina mund të vendoset nën një formë të një administrate të përkohshme ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të rëndësishme.
Qëllimi afatgjatë i një administrate të tillë do të ishte arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës”, tha shefi i Kremlinit gjatë një vizite që i bëri Flotës Veriore në Murmansk. Ky është vetëm një nga opsionet. Nuk po them se nuk ka të tjera.
Deklaratat pasuan bisedimet në Paris nga shtetet që mbështesin Ukrainën mbi mënyrat se si të forcohet pozicioni i saj brenda dhe jashtë fushëbetejës. Putin u shpreh se kjo ide mund të zbatohet “nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara me shtetet europiane” e me “partnerët dhe miqtë e Rusisë”.
Ai argumentoi se zgjedhjet e kohës së luftës, të cilat janë të ndaluara me ligj në Ukrainë, duhet të organizohen për të krijuar një qeveri të aftë për të negociuar paqen. Por, Ukraina dhe aleatët e saj kanë frikë se Moska mund të shfrytëzojë zgjedhje të tilla për të instaluar një qeveri marionetë besnike ndaj Kremlinit, veçanërisht në zonat e pushtuara nga Rusia.
Putin përsëriti se ai beson se mandati i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është i ligjshëm. Ukraina ka qenë nën ligjin ushtarak që nga pushtimi i plotë i Rusisë, duke shtyrë zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Shumë atje besojnë se mbajtja e zgjedhjeve në mes të konfliktit në vazhdim do të ishte jopraktike dhe e padrejtë, pasi do të jetë e vështirë të sigurohet pjesëmarrja e ushtarëve dhe civilëve të zhvendosur.
Analistët thonë se Moska po shtyn narrativën e zgjedhjeve si një mënyrë për të delegjitimuar Zelensky-n e për të shtyrë administratën Trump që të minimizojë rolin e tij në negociatat e paqes.