Aktualitet Politikë

“Sherr” te Ligjet pas vënies nën hetim të kryetares Bushka nga SPAK-u!

Klotilda Bushka reagoi për herë të parë pas vënies nën hetim nga SPAK-u. Në mbledhjen e sotme, kryetarja socialiste e Komisionit të Ligjeve tha se ky është komision ligjesh e jo hetimor. “Po ushtroj detyrën time. Nëse kam diçka për ta sqaruar do ta sqaroj atje. Po jam dhe vijoj të jem e dinjitetshme”, u shpreh Bushka, e cila po hetohet për pengim të së vërtetës.

Reagimi i Bushkës pasoi kërkesën e Dashnor Sulës për zëvendësimin e saj si drejtuese e Komisionit të Ligjeve. Deputeti demokrat i tha se nuk ka legjitimitetin e moralin për të qenë në krye të Ligjeve. Sula deklaroi se mund t’i lërë radhën koleges demokrate Dhurata Çupi si kryetare.

Sula: Zonja kryetare, ngjarja e djeshme e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka sjellë një situatë të re edhe për Komisionin e Ligjeve. Nuk do të desha të hyj më thellë, por thjesht nga pikëpamja e procedurës së funksionit, nuk do të ishte e ndershme dhe e moralshme që Komisionin e Ligjeve ta drejtoni ju.

Në një kohë që ju, në publikimin e materialeve nga mediat dhe që iu janë bërë me dije opinionit, si dhe nga një deklaratë e SPAK-ut, del që kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka tentuar të pengojë zbulimin e së vërtetës. Kur kjo ndodh nga ju, imagjino në çfarë situate të jemi ne. Do ju lutem shumë që t’i thërrisni ndërgjegjes dhe ta drejtojë komisionin nënkryetarja e tij, zonja Çupi.

Bushka: Ky është komision ligjesh jo hetimor. Jam drejtuesja e komisionit dhe po ushtroj detyrën time. Nëse kam diçka për ta sqaruar do ta sqaroj atje. Po jam dhe vijoj të jem e dinjitetshme. Vijojmë mbledhjen  e komisionit.