Aktualitet

Sherr mes fqinjëve në Rrogozhinë, i riu vret 60-vjeçarin!

Policia prangosi një 25-vjeçar, i dyshuar se vrau me mjete prerëse fqinjin 60 vjeç gjatë një konflikti të çastit në Rrogozhinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50 të mbrëmjes, në lagjen Mollaj.

Sipas policisë, mes dy fqinjëve, M.M. (25 vjeç) dhe Rr.M. (60 vjeç), shpërtheu një konflikt i shpejtë për motive të dobëta, gjatë të cilit u përdor armë e ftohtë (mjet prerës).

Si pasojë, 60-vjeçari Rr.M. u plagos rëndë dhe humbi jetën, ndërsa autori i dyshuar, M.M., u dëmtua lehtë në dorë.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.