Të paktën 30 persona u vranë në përleshjet në jug të Sirisë, ku autoritetet dërguan forca për të qetësuar situatën. Dhjetëra persona u plagosën. Dhuna shpërtheu mes fiseve beduine sunite e luftëtarëve nga pakica fetare Druze, në qytetin Sueida.
Ministria e Brendshme njoftoi se së paku 30 persona janë vrarë. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup që monitoron luftën bëri të ditur se numri i viktimave është 37.
Luftërat midis grupeve të ndryshme minoritare në Siri u përshkallëzuan që nga rënia e regjimit të presidentit Bashar al-Assad, dhjetorin e kaluar. Për vendosjen e rregullit brenda vendit po punon një qeveri islamike.
Në mëngjes, Ministria e Brendshme siriane deklaroi se forcat e saj do të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të zgjidhur konfliktin dhe për të ndaluar përleshjet në Sueida. Guvernatori Mustapha al-Bakur, iu bëri thirrje zgjedhësve të tij “të ushtrojnë vetëpërmbajtje e t’u përgjigjen thirrjeve kombëtare për reforma”.
Edhe udhëheqësit shpirtërorë bënë thirrje për qetësi. Në muajt prill dhe maj, përleshjet mes forcave të reja të sigurisë e luftëtarëve të pakicës Druze lanë dhjetëra njerëz të vrarë. Besimi Druze është një degë e Islamit Shiit, që ka komunitete të konsiderueshme edhe në Liban, Jordani e Izrael.
Nën regjimin e Assad-it, shumë prej tyre ishin besnikë të qetë ndaj shtetit, me shpresën se do t’iu ofronte mbrojtje gjatë luftës civile 13-vjeçare. Në frontin diplomatik, vendet perëndimore janë duke bërë përpjekje për t’i rivendosur marrëdhëniet me Sirinë.
Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e hoqën grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS) nga lista e organizatave të huaja terroriste. Ky grup ka marrë kontrollin e vendit.