Aktualitet

Skandali i të dhënave të pagave, Prokuroria zbarkon në zyrat e AKSHI-së

Krijohet grup hetimor për të zbardhur rrjedhjen e të dhënave të pagave të mbi 360 mijë shqiptarëve. Prokuroria e Tiranës zbarkoi sot në Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit për hetimet e skandalit të publikimit të listës së pagave.

Prokurorët kanë marrë të gjithë informacionin për lëvizjet që janë bërë në sistemin e përdorur dhe gjurmët që janë lënë aty. Pra, të dhënat kompjuterike të memorizuara në sistem dhe konkretisht të gjitha ‘log in-et’.

Ndërkaq, edhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, ka folur për skandalin e publikimit të pagave të më shumë se 630 mijë qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Karçanaj siguroi qytetarët se sistemi i mbajtjes së të dhënave personale në e-Albania është i sigurt. Ndër të tjera tregoi se së shpejti do të futet dhe teknologjia “Blockchain”, e cila do të sigurojë dhe lënien gjurmë të personave që mund të aksesojnë të dhënat personale përmes ndërveprimit të brendshëm.

“E kam shumë të rëndësishme të sqaroj qytetarët se e-Albania është një sistem i sigurt, ta përdorin në mënyrë të sigurt sistemin.

Platforma mirëmbahet nga Microsoft duke mundësuar një siguri të plotë të informacionit aty. Kryefjala jonë në të ardhmen është “Blockchain”, të cilin do ta përdorim për sistemin e pronave, duke i bërë ato të pandryshueshme edhe nga personat e Kadastrës, por edhe nga sulme mbi sistemin. Kemi kaluar nga 6 regjistra që flisnin mbi njëri tjetrin në 30 të tilla dhe po vijojmë dhe me të tjerë.

Për fat nga marrëveshja e tetorit do të përfitojmë të kemi një bashkëpunim me “Johns Group International”, kam parë prezantimet e para të out-put-eve, kjo do të ndihmojë për certifikimin e të gjithave sistemeve me ISO. Desha të theksoj se AKSHI ka qendrën të verifikuar me ISO 701 për sigurinë e informacionit dhe ISO 901 për menaxhimin e informacionit. Sistemi i tatimeve nuk është i certifikuar nga ISO por jemi në proces”, tha Karçanaj.