Infrastruktura izraelite e telekomunikacionit është përdorur për të gjurmuar qytetarë në më shumë se dhjetë vende gjatë tre viteve të fundit, sipas një raporti të publikuar nga grupi kërkimor digjital Citizen Lab, të cituar nga Haaretz. Gjetjet nxjerrin në pah dobësi të vazhdueshme në rrjetet celulare, të ndërtuara fillimisht në vitet ’70 dhe të përshtatura për epokën e smartfonëve, të cilat ende lejojnë forma të avancuara mbikëqyrjeje.
Raporti përshkruan dy operacione të ndara gjurmimi, që dyshohet se drejtohen nga kompani tregtare që shesin teknologji mbikëqyrjeje për qeveri në mbarë botën. Njëri prej tyre ka shfrytëzuar teknologji izraelite të gjeo-lokalizimit për të ndjekur objektiva, duke përdorur rrjete që lidhen me operatorët 019Mobile dhe Partner Communications, të cilët kanë mohuar çdo përfshirje.
Një operacion i dytë, më i avancuar, lidhet me një kompani zvicerane, e cila dyshohet se ka lejuar kompani mbikëqyrjeje të imitojnë operatorë celularë dhe të lidhen me rrjete të vjetra ndërkombëtare përmes protokollit SS7. Ky sistem, i krijuar për të mundësuar thirrje dhe mesazhe, si dhe roaming ndërkombëtar, po përdoret për qëllime gjurmimi global. Autoritetet britanike e ndaluan këtë praktikë javën e kaluar, duke e cilësuar si një nga burimet kryesore të trafikut keqdashës në rrjetet celulare.
Megjithatë, raporti tregon se edhe sistemet më të reja, të dizajnuara për të rritur sigurinë po abuzohen. Një prej tyre është sistemi Diameter, që përdoret në rrjetet 4G dhe 5G dhe që gjithashtu rezulton i cenueshëm ndaj teknologjive të mbikëqyrjes. Në një nga operacionet e zbuluara, studiuesit dokumentuan mbi 500 tentativa gjurmimi midis viteve 2022 dhe 2025 në vende si Tajlanda, Afrika e Jugut, Norvegjia, Bangladeshi dhe Malajzia.