Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Diku në Silicon Valley, njerëzit po përpiqen të gjejnë… 50 miliardë dollarë. Thjesht kështu, casual.
Kompania Anthropic, krijues i asistentit inteligjent Claude, është në prag të një super-financimi që mund ta çojë vlerën e saj deri në 900 miliardë dollarë. Në këtë pikë, numrat nuk janë më matematikë, janë fantazi shkencore.
Pse ka rëndësi? Sepse gara për inteligjencën artificiale është bërë si Champions League, por me robotë. Dhe OpenAI është rivali kryesor që tashmë ka vendosur standardin me vlera marramendëse. Tani Anthropic po thotë: “prit pak, edhe ne dimë të luajmë”.
Kompania ka shpërthyer, gjithmonë në rritje – nga rreth 9 miliardë të ardhura në fund të 2025, në mbi 30 miliardë sot. Pra, në kaq pak muaj kanë bërë më shumë progres sesa ne me “do filloj dietën të hënën”.
Investitorët? Janë në panik për të hyrë brenda. Njëri gati të hedhë 5 miliardë… dhe as takim nuk po merr dot. Është si të jesh gati të blesh shtëpi dhe agjenti të thotë: “më fal, kemi shumë të interesuar”.
Shumë nga këto para vijnë nga AI që shkruan kod. Pra në thelb, po paguhen miliarda që një kompjuter të bëjë punën që dikush tjetër s’e ka qejf ta bëjë.
Një gjë është e sigurt: në këtë ritëm, shumë shpejt… edhe “borxhi për kafe” do jetë i automatizuar.