Aktualitet

Sot dita e 28-të e protestës, qytetarët grumbullohen para Kryeministrisë, flet eurodeputetja Salis: Europa nuk është në Bruksel, por këtu në Tiranë

Në ditën e 28-të të protestës qytetarët nisën grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, si çdo ditë.

Me pankarta në duar për dorëheqjen e qeverisë, ata nisën marshimin, për t’u stacionuar drejt Kryeministrisë, ku po mbajnë fjalimet e zakonshme dhe thirrjet kundër klasës sonë politike.

E sotmja konsiderohet si protestë kombëtare, ku pritet të ketë edhe prani të diasporës, teksa edhe një numër eurodeputetësh kanë lajmëruar se do të jenë të pranishëm.

Pas rreth dy orësh qëndrim në shesh, edhe sot pritet të ketë marshime në rrugët e Tiranës, një veprim për të cilin janë proceduar dhjetëra protestues në ditët e shkuara.

Prej ditësh ata kanë bërë të njohura një sërë kërkesash, që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe anulimin e disa ligjeve, që sipas tyre, prekin interesat kombëtare dhe ndikojnë keq në mjedis.

E pranishme në protestë është edhe eurodeputetja italiane, Ilaria Salis, e cila mbajti edhe një fjalë në podiumin e improvizuar përpara Kryeministrisë.

“Është nder i madh që të jem këtu, sepse Europa nuk është në Bruksel, por këtu. Kjo është Europa më e mirë, sepse një popull me inteligjencën, dëshirën dhe ëndrrën e vet po ngrihet. Ishulli i Sazanit dhe Narta duhet të qëndrojnë të mbrojtura për të gjithë brezat dhe jo të bëhet park pasanikësh.

Duhet anuluar, sepse bazohet në korrupsion, kjo nuk ndodh vetëm këtu, por edhe në Europë dhe gjithë botën. Këtu po bëhet historia, po i tregohet rruga të gjithë popujve. Shqipëria nuk është në shitje dhe të drejtat e natyrës duhet të vijnë përpara parasë, imperializmin dhe oligarkive. Rroftë Revolucioni i Flamingove dhe rroftë Shqipëria”, u shpreh Ilaria Salis.